Konferenca e Dyte Nderkombetare ne Studimet Islame

Konferenca e II-të Ndërkombëtare në Studimet Islame (ISCON)

“Roli i gruas në shoqërinë moderne sipas këndvështrimit Islam”

 

Datë:               10 janar 2019, ora 10.00

Vendi: Kolegji Universiteti Bedër

 

Organizatorët:           Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

                                  Departamenti i Shkencave Islame, Kolegji Universitar Bedër

                                  Këshilli Botëror i Komuniteteve Myslimane

Abstrakt

“Roli i Gruas në Shoqërinë Moderne sipas Këndvështrimit Islam” është konferenca ndërkombëtare që do të organizohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Universiteti Bedër dhe Këshilli Botëror i Komuniteteve Myslimane me dt. 10 janar 2018 në Tiranë.

Kjo konferencë do të mbledhë studiues të ndryshëm, të cilët do të flasin rreth rolit të gruas në edukimin e shoqërisë; të drejtat e gruas në shoqërinë moderne; barazia gjinore sfidë, apo realitet; diskriminimi ndaj grave; divorci dhe dhuna në familje, plagë të shoqërisë moderne; edukimi dhe arsimimi i gruas; format e rezistencës ndaj patriarkalizmit; gruaja myslimane dhe sfidat në integrimin e saj; gruaja në Kur’an dhe Traditën Profetike; imazhi i gruas në median shqiptare; lidershipi dhe pjesëmarrja e gruas në politikë; përfshirja e gruas në biznes, si kontribut për shoqërinë; roli i gruas në ruajtjen e institucionit të familjes; roli i gruas si aktor në edukimin e shoqërisë; të drejtat e grave dhe ligji; të drejtat e gruas në Islam, etj.

Sipas studimeve dhe statistikave të ndryshme në të gjitha shoqëritë gratë janë më pak të arsimuara, fitojnë më pak dhe janë të ekspozuara ndaj dhunës dhe kërcënimeve. Duke pasur parasysh këto, lind një nevojë urgjente që të hartohen politika e programe për të eliminuar dhunën ndaj grave për të pasur një shoqëri të sigurt, ku promovohet paqja sociale, duke fuqizuar rolin e gruas nëpërmjet qasjes së saj në burimet ekonomike, pjesëmarrjen politike, arsimin dhe kujdesin shëndetësor, etj. Fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri është një proces i rëndësishëm përmes të cilit gratë marrin përgjegjësi sociale që shërbejnë në zgjidhjen e krizave sociale që po përjetojnë shoqëritë e shekullit XXI.

Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për Fuqizimin e Grave kanë pesë komponentë:

  1. Ndjenja e vetëvlerësimit të grave;
  2. E drejta e tyre për të pasur dhe për të përcaktuar zgjedhjet;
  3. E drejta e tyre për të pasur qasje në mundësi dhe burime;
  4. E drejta e tyre për të pasur pushtet për të kontrolluar jetët e tyre, brenda dhe jashtë shtëpisë; dhe
  5. Aftësia e tyre për të ndikuar drejtimin e ndryshimeve sociale për të krijuar një rend më të drejtë social dhe ekonomik, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Pikërisht edhe Konferenca Ndërkombëtare “Roli i gruas në shoqërinë moderne sipas këndvështrimit islam”, do të fokusohet në trajtimin e temave rreth rolit dhe përfshirjes së gruas në të gjitha sferat e shoqërisë.